once upon...

Monday, March 30, 2009

Na fol për Dhurimin, i tha një burrë

Atëherë tha një burrë i pasur, Na fol për Dhurimin.
Dhe ai u përgjigjë:
Ju dhuroni, por pak kurr jepni nga pasuria juaj. Kur jepni nga vetja keni dhënë me të vërtetë.
Sepse qfarë është tjetër pasuria juaj përveçse gjëra që i mbani dhe i ruani nga frika se mos ju nevojiten nesër?
Por nesër, ç’do t’i sjellë e nesërmja qenit tepër të kujdesshëm i cili fsheh kocka në rërë pa lënë shenja, ndërsa ndjek pelegrinët në qytetin e shenjtë?
Dhe qfarë është frika e nevojës përveçse vetë nevoja? A nuk është tmerri i etjes kur pusi juaj është plot, etja e pashuar?
Ka nga ata që japin pak nga e shumta që kanë dhe e japin të gjithë. Ata kanë besim te jeta dhe janë bujarija e jetës , dhe arka e tyre nuk mbetet kurrë e zbrazët.
Ka nga ata që japin gëzim, dhe ky gëzim është shpërblim i tyre. Dhe ka nga ata që japin me dhimbje, dhe kjo dhimbje është pagëzimi i tyre.
Dhe ka nga ata që japin dhe as nuk njohin dhimbje, as kërkojnë gëzim e as japin për t’u kujdesur për virtytin.
Ata japin ashtu si mersinat shpërndajnë në ajër kundërmimin e tyre në luginën atje tej.
Nëpërmjet duarve të tyre flet Zoti, dhe nga sytë e tyre Ai i buzëqesh tokës.
Është mirë të japim kur na kërkohet, por është më mirë të japim kur nuk na kërkohet, duke e kuptuar vetë.
Dhe atij që do të japë, kërkesa e atij që do të marrë i jep më shumë gëzim sesa vetë dhënia.
Po a ka ndonjë gjë që mund të mos e jepni?
Gjithçka që ju keni do ta jepni një ditë. Prandaj jepeni që tani, që stina e dhurimit të jetë e juaja dhe jo e pasardhësve tuaj.
Ju thoni shpesh, “Do të doja të jepja, por vetëm atij që e meriton”.
Pemët e kopshtit tuaj nuk thonë kështu, dhe as kopetë e kullotave tuaja. Ato japin që të mund të jetojnë, sepse të mos japësh do të thotë të vdesësh.
Sigurisht, kush është i denjë për të patur ditët dhe netët e tij, është i denjë të pranojë gjithçka tjetër prej jush.
Dhe kush e ka merituar të pijë nga oqeani i jetës, e meriton ta mbushë kupën edhe nga rrëkeja jote e vockël.
Dhe cila na qenka meritë më e madhe se ajo që gjendet te kurajoja dhe besimi, madje edhe te mëshira për të pranuar?
Dhe kush na qenka ti që njerëzit të të hapin zemrën dhe t’i heqin velon krenarisë së tyre, me qëllim që ti të mund të shohësh vlerën e tyre lakuriqe dhe krenarinë e tyre të paturbulluar?
Më parë kujdesu që ti vetë ta meritosh që të japësh dhe të jesh një mjet i të dhënit.
Sepse në të vërtetë është jeta që i jep jetës – ndërsa ju që e quani veten dhurues, nuk jeni veçse dëshmitarë.
Dhe ju që merrni –dhe që të gjithë ju merrni- mos i jepni peshë mirënjohjes, që të mos i vini zgjedhë as vetes suaj dhe as atij që jep.
Nëpërmjet dhuratës, më mirë ngrihu si me krahë së bashku me atë që të dhuroi.
Sepse ta kesh shumë mendjen te borxhi , do të thotë të vesh në dyshim bujarinë e atij që ka si nënë tokën e çiltër dhe si baba Zotin.


K.G.

No comments: