once upon...

Tuesday, March 31, 2009

Na fol për të Ngrënët dhe të Pirët...

Atëherë një i moshuar, që zotëronte një bujtinë, tha, Na fol për të Ngrënët dhe të Pirët.
Dhe ai tha:
Do të doja që ju të jetonit me aromën e tokës dhe, si një bimë, të ushqeheshit nga drita. Por meqë ju duhet të vrisni për të ngrënë dhe të shkulni të sapolindurin nga gjiri i nënës për të shuar etjen me qumësht, qoft kjo një vepër adhurimi, dhe tryeza juaj qoftë një altar në të cilin të pastrit dhe të pafajshmit e pyllit dhe të fushës flijohen për atë që është më e pastër dhe e pafajshme te njeriu.
Kur vrisni një kafshë, i thoni asaj me zemër:
“Prej së njëjtës fuqi që po të vret ty edhe unë jam vrarë dhe do të përpihem. Sepse ligji që të dorëzoi ty në duart e mia, do të më dorëzojë edhe mua në duar më të fuqishme. Gjaku yt dhe gjaku im nuk është gjë tjetër veçse lëngu që ushqen pemën e qiellit.”
Dhe kur çani një mollë me dhëmbët tuaj, i thoni asaj me zemër:
“Farat e tua do të jetojnë në trupin tim, dhe sythat e të nesërmes tënde do të çelin në zemrën time, dhe aroma jote do të jetë frymëmarrja ime, dhe së bashku, ne do të gëzohemi në të gjitha stinët.”
Dhe në vjeshtë, kur nga vreshtat të vilni rrushin për shtrydhëset tuaja të verës, thoni në zemrën tuaj:
“Edhe unë jam një vreshtë dhe frutat e mia do të mblidhen për shtrydhësen, dhe si një verë e re në do të mbahem në enët e përjetshme.”
Dhe në dimër, kur nxirrni verën, pastë zemra juaj një këngë për çdo kupë, dhe kënga qoftë një kujtim për ditët e vjeshtës, për vreshtin dhe për shtrydhësen.
K.G.

No comments: